Shoqëria 
                    & Kultura | 17.03.2011
                    
                    Të jesh pjesë e "Udhëve" - ekspozitë 
                    e piktorit Arben Kucana 
                    
                    Në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë 
                    u hap ekspozita "Udhët" e piktorit shqiptaro-gjerman 
                    Arben Kucana. Autori e paraqet udhën e tij krijuese, 
                    si një marrëdhënie dykalimshe mes kulturës 
                    shqiptare e asaj gjermane.  
                    Udhë 
                      që bashkohen, ndahen, gjarpërojnë në 
                      një labirinth pafund. Udhë që nisin dhe nuk 
                      mbërrijnë askund. Rrathë që lidhen dhe 
                      rrinë më vete. Të gjitha në një 
                      raport të përhershën me njëra tjetrën, 
                      si në një dimension pafund të kohës 
                      ku jetojmë.
                    Vetë 
                      jeta e piktorit Arben Kucana i ngjan një udhe, që 
                      nuk i duket fundi. Pafundësi e saj nisi më 2 korrik 
                      1990, kur ai u fut refugjat në ambasadën gjermane 
                      në Tiranë në kërkim të një 
                      bote të lirë dhe njëherazi si rebelim ndaj 
                      regjimit komunist. Një hapësirë e pamatë 
                      lirie artistike, eksperimentimesh për të njohur 
                      veten do t' i hapej piktorit të ri 23 vjeçar, 
                      talentin e të cilit e kishte prangosur dogma e Realizmit 
                      Socialist. 
                    Gjermania 
                      u bë atdheu i tij i adaptuar, që i dha mundësi 
                      të formoje identitetin e tij artistik. Pas më 
                      shumë se 20 vitesh ai rikthehet tani në Shqipëri, 
                      në atdheun e tij të origjinës per te treguar 
                      me gjuhën e artit përvojat e tij jetësore, 
                      artistike. 
                    Çfarë 
                      simbolizojnë "Udhët" për piktorin 
                      Arben Kucana?
                      
                      Piktori shpreh kredon e tij artistike për tematikën 
                      e zgjedhur: "Udhët janë për mua koha 
                      ku ne jetojmë, lëvizja, momenti. Unë vetë 
                      jam pjesë e udhës në një "concept 
                      abstract". Për mua udhët nuk janë gjë 
                      tjetër veçse shuma e shpirtrave dhe figuracioneve, 
                      që përplasen në një vend të caktuar. 
                      Kjo do të thotë nga pikëpamja figurative 
                      që shenja dhe forma të caktuara krijojnë 
                      një tërësi. Kjo është udha."
                    Gjermania- 
                      në avanguardë të pikturës bashkëkohore.
                     Në 
                      këtë udhë pa fund, Gjermania është 
                      një stacion që i ka dhënë shumë 
                      piktorit Arben Kucana. Mbi të gjitha konceptet e artit 
                      modern, bashkëkohor. "Gjermania i ka dhënë 
                      shumë vokacionit tim artistik. Mbi të gjitha konceptin 
                      për t'i parë gjërat në mënyrë 
                      si konkrete dhe të abstraguar. Në Gjermani mësova 
                      të punoj i mbështetur në një koncept. 
                      Përvoja gjermane, parë në aspektin artistik, 
                      është një fat i madh për mua. Gjermania 
                      është për mua vendi i artit, që me piktorët 
                      e tij më të mirë është në 
                      avanguardën e pikturës bashkëkohore. Kjo 
                      më jep mundësi të njoh koncepte, këndvështrime 
                      dhe pikësynime të reja. Kjo është udha, 
                      që pasurohet për mua dhe për këdo tjetër 
                      ne rrethana të tjera." thotë piktori Kucana.
                    Vlera 
                      universale e "Udhës"
                    "Udha" 
                      në pikturën e Arben Kucanit është një 
                      shprehje artistike, estetike dhe filozofike e kohës 
                      ku jetojmë. Ato nuk janë rrugë ku individi 
                      dhe shoqëria ecin fizikisht, por udhë ku ata lëvizin 
                      në kuptimin filozofik të kohës, janë 
                      kujtime nga e shkuara dhe përjetime nga e tashmja. 
                      Në ceremoninë e rastit ambasadorja gjermana Carola 
                      Müller-Holtkemper, vlerësoi karakterin filozofik 
                      dhe universal të pikturës së Arben Kucanës. 
                      "Në pikturat e kësaj ekspozite gjithsecili 
                      mund të identifikojë vetveten pasi veprat nuk 
                      tregojnë pamje, figura njerëzore por koncepte" 
                      tha znj. Müller-Holtkemper.
                      
                      Koncepte universale të shprehura me një larmi 
                      formash artistike 
                    Piktori 
                      Bujar Zajmi, ish professor i Arben Kucanës, në 
                      Liceun Artistik në Tiranë, në vitet 1980-1984 
                      vlerëson atë që Gjermania i dha ish-nxënësit 
                      të tij të talentuar. "Ka përparuar vërtet 
                      shumë. Mua më pëlqen larushmëria e shprehjes 
                      së tij artistike. Në art duhet të kesh gjithmonë 
                      gjendje të reja emocionale dhe Arbeni i ka ato. Ai 
                      është shumë i kultivuar në përdorimin 
                      e ngjyrave. Ka kompozime shumë të gjetura nga 
                      pikëpamja grafike dhe e koloritit. Për më 
                      tepër pas kaq vitesh nuk ka humbur në detin europian, 
                      por ja, nxorri kokën me një nivel dinjitoz," 
                      thotë piktori Bujar Zaimi.
                    Dy kohët, 
                      e shkuara në Shqipëri dhe e tashmja në Gjermani 
                      bashkëjetojnë në ndërgjegjen artistike 
                      të Arben Kucanës dhe e bëjnë atë 
                      një artist krej të veçantë, që 
                      pikturon imazhe të larmishme të udhëve të 
                      jetës që nisin dhe nuk mbarojnë, por që 
                      kanë si stacione ngjarje, kujtime, mbresa, realitete 
                      dhe ëndrra.
                    Autor: 
                      Ani Ruci
                      Redaktoi: 
                      Lindita Arapi