|  
                 Në 
                  detin e madh të sistemit të artit ndërkombëtar 
                  jetojnë "shpirtra" të përjetshëm 
                  që shprehin, me vlerë dhe vendosmëri, besimin 
                  dhe zjarrin e krijimtarisë me një veçanti të 
                  jashtëzakonshme, në mënyrë që asnjëri 
                  prej nesh të mos ketë vetëdije dhe dije të 
                  tërës. 
                Arben Kucana 
                  përfaqëson për mua një "zbulim" 
                  autentik jetësjellës. 
                  "zbulim" i nxitur nga miku im i madh Ziso Kamberaj 
                  i cili, para se të jetë një artist i madh, është 
                  një njeri i jashtëzakonshëm i cili nuk mungon 
                  kurrë t'u shprehë shenjat e miqësisë së 
                  vërtetë të gjithë kolegëve për 
                  të cilët ka respekt dhe të cilëve u njeh 
                  talentin dhe dijen. 
                Piktura 
                  e Arben Kucanës ndjek një udhë të heshtur 
                  dhe njëherësh plot me tension emotiv. Një rrugëtim 
                  që buron nga guva karstike dhe është mbrujtur 
                  gatuar nga reflektime të thella dhe drithërima vezulluese. 
                  Ky rrugëtim është i gdhendur në materien 
                  e pikturës së tij, një materie e tejdukshme, 
                  e hollë dhe e fortë, e përkulshme, e ngjyer në 
                  dëshirën për të mos tradhtuar kurrë 
                  nevojat e tij prej artisti. Një materie e ngjeshur dhe 
                  e rrallë, që përshkon emocione të ndryshme, 
                  që krijon lidhje mes thellësive të fshehta e 
                  të thella. Është një histori e veçantë, 
                  që lind dhe lëviz mes ngjarjesh që i lënë 
                  vendin njëra-tjetrës, çaste delikate, hapësira 
                  gri dhe çaste drite (tonet e ftohta janë gjithmonë 
                  të shoqëruara nga një rregullsi e formës 
                  që fisnikëron të paluajtshmen pritje të 
                  dritës). 
                Drita zë 
                  një rol kryesor në tregimin e tij krijues: lind nga 
                  materia, pa mbetur asnjëherë rob i saj, shoqëron 
                  format gjeometrike dhe e përthith atë, duke u mëshuar 
                  me forcë ngjyrave. Me 
                  transformimin e dritës dhe të rolit të saj vetë 
                  materia fiton një liri shprehëse të mëvetësishme.Kjo 
                  lëvizje e gjendjeve të ndryshme të shprehjeve 
                  të pikturës, me intensitet të ndryshëm ngjyrash, 
                  me faza të ndryshme ndriçimi, ky ndryshim i atmosferave 
                  racional-emotive, kjo metamorfozë e vazhdueshme dhe dinamike 
                  e materies është historia që tregon piktura e 
                  tij. 
                Është 
                  një materie me shumë jetë, gjithnjë e gatshme 
                  të mirëpresë zëra dhe kujtime. 
                  Është në simbiozë me jetën, me kujtesën 
                  e ekzistencës. Në materien e pikturës gjenden 
                  të gjithë "zërat" e botës e megjithatë 
                  bëhet fjalë për një tjetër materie, 
                  më vete. 
                Vepra e 
                  Arben Kucanës e gjen vetën në tendencën 
                  abstrakte të '900-ës, pikërisht ajo që i 
                  jep materies së pikturës një vlerë autonome, 
                  pa e detyruar të imitojë materialë të tjera. 
                  Piktura e tij bazohet tek gjesti-analiza, një gjest i shpejtë 
                  dhe gjeometrik, i llogaritur, i studiuar, që lind nga një 
                  shtysë e thellë, por që shoqëron gjithmonë 
                  idenë e një projekti që mund të jetojë 
                  mëvetësisht. 
                  Është një zgjedhje që pështjell kujtesën 
                  e pikturës dhe lind teksa takohet me materien. 
                  
                Shkurt 2011 
                  -------------------------------------------------------------------- 
                  Pino Bonanno 
               |